Endrit Nika është dënuar më 18 vjet burgim, për vrasjen e një shtetase argjentinase, në Fushë-Kosovë.
Pas një procesi të gjatë gjyqësor, Nika doli edhe sot përballë trupit gjykues, për të dëgjuar aktgjykimin ndaj tij, shkruan IndeksOnline.
Të pranishëm në sallë tashmë janë prindërit e viktimës, të cilët po përcjellin nga afër këtë moment kritik të drejtësisë.
Nika dha fjalën përfundimtare të tij të hënën, ku deklaroi se është i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë te vendparkimi jashtë hotelit dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar i pandehuri Nika me dashje që ta privonte nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohej dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë.
