Emmerson thotë se dëshmitari falsifikoi dëshminë me kërkesën e autoriteteve serbe

Avokati i ish-Kryeparlamentarit Kadri Veselit, Ben Emmerson kërkoi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të shpjegojë arsyet se pse dëshmitari i 44-të po vazhdon të dëshmojë nën masa mbrojtëse.

Sipas Emmersonit, ky dëshmitar ka falsifikuar dëshminë me kërkesën e autoriteteve serb, raporton Betimi për Drejtësi.

“Megjithatë, është fakt që gjykatësi i procedurës paraprake është çorientuar. Ndërkohë që ju i nderuar gjykatës keni punuar mbi vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake dhe keni vijuar më tej me masat mbrojtëse që janë miratuar në këtë rast. Ajo se çfarë do të thotë është që është një proces në të cilin Prokuroria duhet që të kalojë këtë proces edhe njëherë dhe të shpjegojë arsyen se pse janë aprovuar masa mbrojtëse, të shpjegojë se pse publiku nuk duhet që të dëgjojë dhe të shoh këtë dëshmitar, ndërkohë që është e dukshme që ky dëshmitar ka falsifikuar dëshminë me kërkesën e autoriteteve serbe”, tha Emmerson.

Tutje Emeson është shprehur se dëshmitari ka dhënë deklarata të rreme për llogari të Shërbimit Informativ serb.

“Sa i takon dëshmitarit të radhës, do të doja të jepja një parashtrim në seancë të hapur që dëshmia e këtij personi duhet mbajtur në seancë të hapur. Të ndjekim të njëjtën praktikë siç e kemi ndjekur në të shkuarën; të përdorim kode për emrat dhe vendet. Ju keni dhënë vendim sot paradite në seancë të hapur që ky është një dëshmitar që ka dhënë deklarata të rreme për llogari të Shërbimit Informativ Serb dhe është shumë e rëndësishme dhe më e rëndësishme se për çdo dëshmitar tjetër që gjyqi të jetë i hapur për publikun dhe të mos jetë seancë e mbyllur për një dëshmitar të këtij lloji që ka pranuar vetë që ka gënjyer dhe është përpjekur që të manipulojë procesin e gjyqësor për llogari të shërbimit sekret serb”, tha Emmerson.