Trendi i investimeve kapitale mbetet i ulët në vendin tonë, e sipas ekspertëve të ekonomisë kjo po ndikon edhe në performancën negative për bizneset, si dhe për rritjen ekonomike. Megjithatë për këtë ulje nuk pajtohen nga Qeveria dhe deputetët e LVV-së. Deri në shtator të vitit 2023, shkalla e investimeve kapitale ka arritur 35 për qind.
Megjithatë gatë vitit 2023 niveli qendror ka realizuar investime kapitale 17 për qind, ndërsa ai lokal 22 për qind, gjithnjë duke ju referuar të dhënave të Institutit GAP për gjashtëmujorin e parë. Kështu, trendi i investimeve kapitale në pesë vitet e fundit ka shënuar rënie.
Sipas këtij instituti, niveli më i ulët i shpenzimeve ka qenë në vitin 2022 me vetëm 9 për qind të investimeve kapitale ka shpenzuar niveli qendror, për dallim nga ai lokal që kishte 19 për qind.
Përveç GAP-it edhe njohës të ekonomisë thonë se trendi i investimeve kapitale ka shënuar rënie, pavarësisht se më të nuk pajtohen deputet e LVV-së dhe Qeveria.
Drejtoresha e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Zana Beqiri thotë se fokus i qeverisë kanë qenë ndihmat emergjente dhe jo investimet kapitale. Sipas saj, rënia e tyre po ndikon edhe në përformancën e bizneseve.
“Problemi është që ne ka një kohë që e kemi përmend edhe kritiken tonë sa i përket planifikimit buxhetor për 2023, investime kapitale kanë qenë minimum rreth 25 për qind të planifikuara, ndërsa transfere, subvencione dhe vija buxhetore të tilla të cilat do duhej të ishin menjëherë pas lufte në Kosovë, jo tash në fazën zhvillimore. Ato kanë zënë pjesë diku tek 36 për qind. Kjo tregon për fokusin e qeverisë sa i përket ekonomisë në vend, d.m.th fokusi ka qenë kryesisht ndihma emergjente, siç kanë qenë ato subvencione 100 euro, me të cilat pothuajse të gjithë shkuan në pushime gjatë verës.
Ne duhet të kemi parasysh se investimet kapitale janë shumë më rendësi për kompanitë vendore, sepse ato marrin si një injeksion mjaft të rëndësishëm secilin projekt zhvillimor në vend. Për këtë duhet qeveria t’i përvishet punës serish, të kryej obligimet që ka marrë sa i përket investimeve, të fokusohet më tepër në investimet e infrastrukturës, sepse përditë kemi probleme, ankesa prej bizneseve, në mënyrë që të përmirësojmë klimën biznesore, sepse ne nuk mund ta ngarkojmë biznesin çdo ditë e më shumë, ndërsa të presim që bizneset ta bartin gjithë barrën kur qeveria nuk duket se është e gatshme të ndihmojë në këtë aspekt, të paktën deri tash sa i përket planifikimeve buxhetore”, thotë Beqiri.
Se buxheti nuk po shpenzohet në dinamiken që është paraparë me Ligjin e buxhetit e thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
Sipas tij, duhet të ketë një planifikim më të mirë të projekteve dhe një parashikim më të mirë të implementimit të shpenzimeve kapitale.
“Faktorët që kanë ndikuar në shpenzimet kapitale kanë qenë të lidhura me efikasitetin, sidomos të OSHP-së. Dihet një kohë e madhe që OSHP-ja ka qenë e bllokuar dhe më pas është çështja e planifikimit të projekteve. Duhet të ketë një planifikim më të mirë të projekteve dhe një parashikim më të mirë të implementimit të shpenzimeve kapitale. Ne duhet të ndalemi në dy faza, ajo e planifikimit, sepse gjithmonë po planifikohet në buxhet, po aprovohet në Ligjin për buxhetin shuma më e lartë sesa e vitit paraprak, mirëpo problemin e kemi tek shpenzimet, që nuk shpenzohen në dinamiken që është paraparë me ligjin e buxhetit.
Dhe në rastin konkret nëse bëjmë krahasimin mes këtij viti dhe vitit 2022 është fakt se si shpenzim është pak më i rritur, mirëpo nëse shohim në totalin e planifikuar mbi 800 milion, nuk arritën ende në 400 milion, që d.m.th ende nuk e ka rritur 50 për qindëshin, ndërsa jemi në fundvit tanimë”, thotë Rafuna.
Ndërsa, këtë e kundërshtojnë mazhoranca. Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja thotë se trendi i investimeve kapitale është në rritje.
“Kosova vitin 2023 ka rreth 600 milionë euro investime kapitale që janë investimet më të larta kapitale ndonjëherë në Kosovë kanë arrit këtë vit. E vetmja shifër e përafërt mund të jetë rreth 528 milionë euro që ka qenë në vitin 2013, mirëpo viti 2023 mendoj se e arrin rekordin e investimeve kapitale.
Opozita duhet ta ketë parasysh që investimet kapitale bëhen nga niveli qendror, janë ministritë e linjës, por edhe komunat, aty ku po ngecin investimet kapitale, se po të implementonte Komuna e Prishtinës afërsisht rreth 100 milionë euro që janë të grumbulluara kryesisht në projekte kapitale, Kosova do të kishte një performancë më të mirë tek investimet kapitale, ngjashëm edhe tek ministritë tjera. Shumë nga ministritë në nivelin qendror kanë performancë shumë më të mirë sesa komunat, duke filluar nga komunat të cilat udhëhiqen PDK, LDK”, thotë Muja për kp.
Se ka rritje të investimeve kapitale e thotë edhe zëvendës ministri i infrastrukturës, Hysen Durmishi. Sipas tij nuk ka rënie të investimeve në pesë vitet e fundit, por rritje.
“Nuk ka rënie, përkundrazi ka rritje, ka zhvillim shumë të madh, para 5 viteve shumica e këtyre projekteve që po i përfundojmë ne tani, kanë filluar para pesë viteve, por kanë filluar shumë keq. Kanë filluar pa shpronësime, pa projekte. Po ashtu kanë filluar me gabime shumë të mëdha të cilat është dashur ne që t’i zgjidhim një nga një dhe tani po i përfundojmë ato me shumë vështirësi, mirëpo po i përfundojmë. Kemi filluar edhe me shumë projekte tjera, rrugën Prizren-Tetovë, pjesën në territorin e Kosovës, ne e kemi bërë hapjen e ofertave dhe tani jemi në procedurë të vlerësimit dhe me 12 janar do të nënshkruhet marrëveshja financiare për tunelin, në Shkup”, thotë Durmishi.
Sipas një raporti të Institutit GAP për janar-qershor, gjatë vitit 2021 shpenzimi i buxhetit për investime kapitale ka qenë 19 për qind nga niveli qendror dhe 26 për qind nga niveli lokal. Gjatë vitit 2020 këto investime kanë shënuar 11 për qind në nivelin qendror, 21 për qind në nivelin lokal.
Po ashtu më 2019 investimet në nivelin qendror ishin 16 për qind, kurse në atë lokal 25 për qind. Derisa në vitin 2018 shpenzimi i buxhetit ishte 26 për qind në nivelin qendror, ndërsa në nivelin lokal 28 për qind. Ndërsa, nga Ministria e Financave nuk janë përgjigjur për KosovaPress sa i përket shpenzimeve totale për investime kapitale më 2023.