Deputetë të opozitës kritikojnë Qeverinë e Kosovës për rënie të punësimit dhe investimeve kapitale në këtë vit. Në anën tjetër nga partia në pushtet mburren për rritje të punësimet dhe investimeve.
Duke iu referuar raporteve të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe të Fondit të Kursimeve Pensionale – Trust për rënie të punësimit, deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj kritikon ministrin e Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati se nuk ka argumente për kontestimin e shifrave të këtyre institucioneve shtetërore.
KosovaPress ka raportuar një javë më parë se sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e parë (TM1) të vitit 2022 kanë qenë të punësuar 388 mijë 531 persona, ndërsa, ky numër në prill të vitit 2023 ka rënë në 360 mijë e 446 qytetarë. Ndonëse duhet theksuar se në statistikat e ASK-së të publikuara, thuhet se burim kanë ATK-në.
Ndërkaq, numri i llogarive aktive në Trustin Pension në TM1 2023 është 331 mijë e 276, ndërsa në TM4 2022 ka qenë 428 mijë e 891, ose 97 mijë e 615, është numri i më i vogël i llogarive aktive në Trust, krahasuar TM1 2023 me TM4 2022.
Për këtë njohës të ekonomisë shprehen të shqetësuar nga ky fenomen, pasi siç thonë ata, nëse veç nuk ka politika të mira fiskale nga qeveria, ky trend do të vazhdojë edhe më tutje.
Deputeti nga AAK, Pal Lekaj thotë se Ministri i Financave, Hekuran Murati mburret kot me krijimin e vendeve të reja të punës, pasi që sipas tij, Kosova është në gjendje të rëndë.
“Sa i përket kësaj çështje dhe ministrit të Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, ata çdoherë mundohen që të gjejnë arsyeshmëri të paargumentuara. Ne me kohë i kemi informuar qeverinë, i kemi alarmuar qytetarët se kjo qeveri e ka shpenzueshmërinë në investime kapitale tepër të ulët që ka ndikuar edhe në zhvillimin ekomomik e sidomos edhe në zvogëlimin e vendeve të reja të punës. Nuk është e vërtetë ajo që e thotë ministri Murati, sepse më të vërtetë Kosova është në gjendje të mjerueshme sa i përket krijimit të vendeve të punës, e sidomos ajo që ka ndikuar tek qytetarët, është ikja jonormale enorme e qytetarëve që nuk kanë shpresë, sepse kjo qeveri ua ka humbe dhe shpresën e fundit”, thotë Lekaj.
Opozita akuzon qeverinë, duke thënë se ka dështuar me politikat e saj sociale dhe ekonomike dhe për këtë të rinjtë janë detyruar të migrojnë.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ferat Shala derisa adreson kritika ndaj pushtetit për keqqeverisje, thotë se mungojnë investimet kapitale.
“Janë disa faktorë socialë dhe ekonomikë, të cilat varen nga institucionet e shtetit e të cilat praktikisht në dy apo tre vitet e fundit kemi dështuar si qeveri, e veçanërisht ka dështuar qeveria e Kosovës me politikat e saj sociale dhe ekonomike. Ne nuk shohim asnjë ndryshim sa i përket politikave investuese zhvillimore, të cilat do të hapnin vende të punës kredibile, ku të rinjtë tanë do të ndaleshin dhe do të gjenin veten në Kosovë. Nuk kemi investime kapitale të mira e të mëdha ku njerëzit mund të gjenin veten në sektorë të ndryshëm. Kemi mungesë të madhe të investimeve në pjesën e infrastrukturës dhe planifikimit hapësinor”, thotë Shala.
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja mohon se ka rënie të numrit të vendeve të punës. Mirëpo, i njëjti thotë se pret përmirësim sa i përket kërkesës në tregun e punës.
Kreu i Komisionit parlamentar për Buxhet mundohet të arsyetojë edhe raportin e fundit të ASK-së për Statistikat Administrative të Tregut Punës, që ka burim Administratën Tatimore të Kosovës.
“Mesazhi parë që morëm në bazë të publikimit të ASK-së, i bie që ka pas një kapërcim, apo një rritje të pagave në sektorin privat, që është një hap i vogël, por shumë i rëndësishëm për të përmirësuar mirëqenien e atyre që punojnë në sektorin privat. Ndërsa, në bazë të dhënave administrative në tregun e punës kemi pas rritje të numrit të vendeve të punës apo formalizim që kjo mbetet çështje dytësore. Por, e rëndësishme është që ajo mund të ketë shkuar tek puna primare diku rreth 370 mijë, ndërsa edhe 20 mijë vende tjera, sipas tyre sekondare gjatë periudhës së dimrit, që është nga tetori, kurse nga prilli deri në shtator kemi një shtim të aktiviteteve të punës në Kosovë për shkak ardhjes së diasporës, shërbimit. Kështu, pres një përmirësim sa i përket kërkesës në tregun e punës”, thekson Muja.
Muja shton se aq sa i kanë lëshuar vendet e punës, aq janë shtuar në ato tregje, por nuk e përjashton mundësinë e migrimit nga të rinjtë, që për të është normale.
“Tek migrimi janë dy faktorë, ata tërheqës burimor atje dhe detyrues, në rast se gjeneratat e reja apo më të vjetra e kanë të pamundur të gjejnë një vend punës dhe ka faktor tërheqës atje, apo kërkesë ajo mund të jetë një pasojë e saj, përderisa kjo është e ligjshme, duhet ta pranojmë si normalitet. Ndërsa, në lidhje me atë që e thotë opozita, ikjet më të mëdha në Kosovë kanë ndodhur mes vitit 2008 dhe 2020 ka mbi 200 mijë që e kanë lëshuar Kosovën, aty kanë ndodhur ikjet më të mëdha, por pastaj ka pas edhe kthime”, shprehet Muja.
Profesori në Universitetin e Prishtinës, Sejdi Rexhepi tregon arsyet e punëtorëve që po i braktisin vendet e punës në Kosovë.
Arsye e parë për këtë, profesori Rexhepi thotë të jenë pagat e ulëta.
“Duhet të kenë pagë që vlerësohen për kontributin. Element tjetër është rritja e mirëqenies, një pjesë e atyre që punojnë janë të gatshëm ta lënë punën në qoftë se nuk ka një pagë të arsyeshme, madje nën kërcënimin se do të vijë liberalizimi dhe do të shkojnë… Kemi edhe të papunë të zhgënjyer që kanë kërkuar punë, por tash e pret janarin e vitit 2024… Viti i ardhshëm mund të shënojë shkallën më të ultë të papunësisë sepse një pjesë e atyre që kërkojnë punë, mund të jenë përkohësisht jashtë”, thotë Rexhepi.
Profesori në Fakultetin Ekonomik thotë se të papunët janë zhgënjyer nga situata politike e ekonomike në vend, për këtë arsye të rinjtë e shohin perspektivën e tyre jashtë vendit.
“Gjithë këta të papunët që janë duke pritur në tregun e punës në Kosovë për të punësuar, janë të zhgënjyer, qoftë nga situata politike, situata socio-ekonomike, në këtë kontekst ata e shohin perspektivën e tyre jashtë vendit”, thotë Skenderi.
Ndërkohë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka reaguar ndaj raportit të KosovaPress duke thënë se informata e saktë sipas raportit të fundit të ATK-së është se, për muajin prill 2023 janë të deklaruar 395,166 të punësuar, apo rreth 7 mijë më shumë sesa TM1 2022.