Ekonomistët: Qeveria të lejoj tërheqjen e 30% të mjeteve nga Trusti

Kur tërheqja e parave nga Trusti Pensional është sërish në diskutim, vlera e këtij fondi është më e vogël për disa miliona euro.

Tash e sa muaj, kërkesë e opozitës në Kosovë është t’u mundësohet qytetarëve të tërheqin deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi, për ta përballuar inflacionin në rritje.

Për shkak të uljes së mjeteve në Trustin Pensional, edhe njohësit e ekonomisë po e kërkojnë tërheqjen e tyre.

Eksperti Musa Limani tha se mjetet në Trust do të vazhdojnë të ulën për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

Limani thotë për Front Online se Qeveria nuk ka të drejtë të pengojë tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

“Kursimet e Trustit janë individuale, nuk është fondi i përgjithshëm i pensioneve dhe tani mjetet janë të nevojshme në këtë situatë të rënë ekonomike duhet të hiqet një sasi duhet të mundësohet për qytetarët dhe të zbutët situata e rëndë ekonomike. Qeveria nuk ka të drejtë që të pengojë dhe të mos lejoj tërheqjen e këtyre mjeteve, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë do të ketë edhe më shumë ulje në Trustin Pesional e për këtë çështje duhet Qeveria të ju lejohet qytetarëve tërheqja”, potencoi Limani.

I të njëjtin mendim se 30% i kërkuar nga qytetarët të tërhiqen nga Trusti Pensional, është edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Imer Raci.

Ai tha se meqë nuk ka rritje të pagave në vend, tërheqja e mjeteve nga Trusti duhet të lejohet.

“Duhet të ndahet tërheqja për 30% tek qytetarët që të kenë më shumë para ta tejkalojnë këtë krizë të çmimeve që po ndodh në Kosovë. Meqë nuk ka rritje të pagave duhet të kenë qytetarët këtë mundësi, por duhet të kenë inspektor në treg për këto rritje enorme të çmimeve”, u shpreh Raci për Front Online.

Në vitin 2020, qytetarëve të Kosovës u është mundësuar të tërheqin 10% të kursimeve të tyre nga Trusti. Kjo është bërë me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, qëllim i të cilit ka qenë adresimi i vështirësive financiare, të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Asokohe, nga Trusti janë tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontribut-pagues. Fondi Monetar Ndërkombëtar edhe atëherë ka qenë kundër./FrontOnline