Në fundjavë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli i dëshpëruar lidhur me një dekadë bisedimesh për normalizim të raporteve me Serbinë, që vazhdon ta refuzojë njohjen e pavarësisë së vendit të tij. Në një intervistë me The Guardian, Kurti pretendoi se negociatat, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, rrezikonin që të rezultojnë në udhë pa krye. Pak pas publikimit [të intervistës], pati një konfirmim ogurzi se me të vërtetë një pikë e tillë është arritur. Në një eskalim serioz të tensioneve, pesë njerëz, përfshirë një pjesëtar të Policisë së Kosovës, u vranë pas një prite nga persona të armatosur të paidentifikuar pranë kufirit serb.
Për BE-në dhe Shefin e saj për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, pasojat e dështimit diplomatik shtrihen shumë përtej fatit të pjesës veriore të Kosovës, me shumicë serbe. Në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës, BE-ja ka dyfishuar përpjekjet e saj për ta orientuar Ballkanin Perëndimor brenda orbitës së saj dhe për ta luftuar ndikimin e Moskës. Por, të shtënat e së dielës tregojnë se, në këtë pikë të nxehtë brenda Ballkanit, qasja e tij nuk po funksionon.
Një marrëveshje dukshëm për të ecur para, pranverën e kaluar, e detyroi Serbinë të njohë shtetësinë e Kosovës në këmbim të një gjysmë-autonomie për komunat me shumicë serbe në veri. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, turpësisht ende nuk e ka nënshkruar marrëveshjen dhe është mburrur publikisht për këtë. Në prill, qeveria e tij kundërshtoi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës; Kurti, në anën tjetër, nuk ka ofruar vetë-menaxhim në zonat me shumicë serbe në Kosovë. Ai ka antagonizuar vendasit përmes vendosjes së njësive speciale të policisë dhe pasi udhëhoqi zgjedhjet lokale të dështuara atje, në të cilat bojkoti nga ana e qytetarëve serbë çoi në një pjesëmarrje vetëm 4%.
Kështu, një “vallëzim, i përpunuar, diplomatik” rrezikon të shndërrohet në dhunë serioze. Por për këtë, Borrell mund të duhet të marrë përgjegjësi. Kurti pohon se rënia e besimit në palën kosovare ka rezultuar nga “neutraliteti i humbur” nga ana e të dërguarit special të BE-së, Miroslav Lajčák. Këtë verë, një grup politikanësh të lartë perëndimorë erdhën pak a shumë te i njëjti konstatim lidhur me “politikën e Perëndimit në Ballkan, me në qendër Beogradin”.
Brukseli dhe Uashingtoni duket se i kanë dhënë përparësi nevojës për të mbajtur Vuçiqin në krah, duke pasur parasysh ndikimin rajonal të vendit dhe lidhjet e rëndësishme me Rusinë. Si pasojë e kësaj, ata ka gjasa ta neglizhojnë nevojën për ta mbrojtur Kosovën nga manevrimet e një fqinji ngacmues dhe shumë më të madh që beson se [Kosova] nuk ka të drejtë të ekzistojë. Duke pasur parasysh rrethanat dhe zhvillimet e fundit në Ukrainë, nuk është befasuese që Kurti ka dyshime për t’u dhënë ose jo më shumë pushtet serbëve të Kosovës në veri, të cilët kanë prirje separatiste. Në sfond, Rusia ka bërë çmos për të nxitur dhe shfrytëzuar paqëndrueshmërinë, ndërsa presidenti serb manipulon krizën për të inkurajuar nacionalizmin në vend.
Disa shtete të BE-së theksojnë se edhe Kurti ka bërë gabime. Ai ka nxitur në mënyrë të pamatur pakënaqësitë në veri, ku autonomia më e madhe do të jetë, në mënyrë të pashmangshme, pjesë e çdo zgjidhjeje të suksesshme. Por, kjo është një çështje e statusit përfundimtar që duhet të shkojë paralelisht me veprime reale nga Beogradi. BE-ja gjithashtu duhet ta rregullojë shtëpinë e saj. Pesë anëtarë të BE-së deri më tani nuk e kanë njohur Kosovën për shkak të një ekuivalence të rreme midis rrethanave të pavarësisë së Kosovës dhe çështjeve të tyre të pakicave. Një Evropë më e bashkuar do të ishte një ndërmjetës më autoritar dhe efektiv në një rajon të trazuar dhe jetik.
*Ky publikim është editorial i “The Guardian“, i publikuar një ditë pas sulmit terrorist në veri të Kosovës. | Përktheu në shqip: Rexhep Kameraj – Reporteri.net.