Edi Rama në QSUT, i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale

Kreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama është paraqitur këtë të enjte në ambientet e QSUT, ku raportohet se i është nënshtruar një operacioni në hernie, një problem që kryeministri e ka raportuar edhe më herët.

Mësohet se Rama po operohet nga doktori Arben Gjata, teksa disa kohë më parë kreu i qeverisë iu nënshtrua një tjetër operacioni për heqjen e apendicitit (organ i vogël i ngjitur në zorrën e trashë i cili atakohet nga infeksione të ndryshme, të tilla si viruse, baktere ose parazitë.)

Rama paralajmëroi në fund të gushtit se do të operohet sërish për shkak të një problemi shëndetësor.

Gjatë një vizite në QSUT, ku u përurua spitali ditor, Rama tha se do të paraqitet sërish si pacient, pasi duhet të kryejë edhe një ndërhyrje, për shkak të një problemi me hernien inguinale, shkruan televizioni A2.

“Unë mund të flas edhe si pacient i spitalit që e provova vetë, madje mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje, kam një hernie inguinale që… ia kam mësuar edhe emrin… Se kësaj diskales nuk kërkoj mjek se punoj me forcat e mia, me streçing dhe vetëpërmbajtje para ushqimit që të mos e rëndoj shumë me kolonën e lodhur nga basketbollit, por kësaj inguinales me sa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do të vij prapë”, tha Rama.