Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mblodhi paraditen e së martës grupin parlamentar socialist, ku i pranishëm ishte edhe i gjithë kabineti qeveritar.
Rama ritheksoi disa herë faktin se PS është e vetmja forcë që arriti të pavarsonte drejtësinë nga pushteti, duke lënë në duart e drejtësisë edhe njerëz që mund të kenë qenë ose janë të lidhur me pushtetin.
Ai u tregua i ashpër dhe i drejtpërdrejtë teksa tha se asnjë i zgjedhur i PS-së që ka tradhtuar besimin e atyre që e votuan nuk ka vend në parti dhe se çdo anëtarë i familjes së PS-së që bën korrupsion është një tradhtar i dyfishtë.
“Jemi të vetmit që mund ta ngremë flamurin e Skënderbeut në BE, jemi të vetmit që mund ta bëjmë, për ta çuar Shqipërinë drejt majës, ku e meriton. Por tek kjo ‘ne’, s’ka dot dhe s’ka për të pasur sa të jem unë në krye, një ‘ne’ të njëjtë si kur bëjmë detyrat që na kanë dhënë shqiptarët me një që tradhton ata që na kanë votuar duke flirtuar me korrupsionin. Kush tradhton besimin e atyre që na kanë dhënë privilegjin për të drejtuar vendin, nuk është as i yni dhe nuk ka asnjë punë me ne, ashtu sikundër është i zgjedhur në krye të një bashkie, nëse fut duart në arkën e shtetit nuk është ne dhe nuk ka çfarë kërkon nga ne veç përbuzjes. Çdo anëtar i kësaj partie që bën korrupsion është vetëm një tradhtar i dyfishtë, kur qëllon që një i tillë kapet nga drejtësia lajmi është shumë i mirë se kemi një parazit më pak”, tha Rama, shkruan Euro News.