Vetëvrasja është fenomen shqetësues në rritje në shoqërinë tonë.
Faktorë rreziku që shtyjnë drejt këtij veprimi shpeshherë mund të jenë gjendja e rënduar psikologjike dhe emocionale, depresioni, ankthi, bipolarizmi, abuzimi me alkool dhe substanca narkotike e gjendja e vështirë ekonomike.
Një ngjarje e trishtë ka ndodhur në fshatin Cermjan të Gjakovës, ku një vajzë e mitur është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal ‘Isa Grezda’, pasi e njëjta dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës së saj.
Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima dyshohet se ka konsumuar mbidozë të ilaçeve për qetësim.
Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e vajzës është stabilizuar dhe ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Mirëpo ajo është hospitalizuar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor nën përkujdesjen e mjekëve.
Sipas nënës së vajzës, e cila sërish ka dëshmuar para organeve të hetuesisë, 13-vjeçarja tash e një kohë ndodhet në gjendje të rëndë emocionale dhe kishte tentuar edhe herë tjera t’i shkaktojë vetes lëndime.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Tentim vetëvrasje’.