Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale.
Në shumë raste, viktima janë të miturat, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur, e shumë herë edhe të moshuar.
Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur sot në fshatin Rogovë të Gjakovës, ku një vajzë 10-vjeçare është sulmuar seksualisht nga një person i moshës madhore.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 60-vjeçar, i cili dyshohet se e ka prekur viktimën me zor, me qëllim seksual.
Posa rasti është denoncuar në Polici, njësitë përkatëse kanë marrë veprimet e nevojshme për të identifikuar personin e dyshuar, me ç’rast i njëjti tashmë është arrestuar.
Pas shoqërimit në stacion policor, 60-vjeçari ka dhënë deklaratën e tij, ku është përballur me dyshimet se ka sulmuar seksualisht viktimën10-vjeçare.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 60-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’.
Rastin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Gjakovë.