Foto: Ilustrim
Konfliktet në mes të familjarëve në vendin tonë janë goxha të shpeshta dhe përcillen me kanosje serioze e përleshje që eskalojnë edhe në rrahje brutale.
Problemet për të cilat nuk arrijnë të merren vesh i shtyjnë ata t’i qërojnë vet hesapet, duke u futur kështu në sherr edhe në Polici.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, ku nipi dyshohet të ketë ushtruar dhunë ndaj gjyshit të tij.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas një mosmarrëveshjeje mes tyre, nipi po dyshohet se kishte sulmuar fizikisht gjyshin e tij 71-vjeçar.
Sinjali mëson se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur kur i dyshuari kërkoi para nga gjyshi i tij për të blerë alkool dhe pasi nuk i mori, iu vërsul atij dhe e sulmoi.
Përballë kësaj situate, ky i fundit ka kërkuar ndihmën e Policisë e po ashtu ka marrë edhe ndihmë mjekësore.
Si rezultat i raportimit të rastit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje për veprën penale “Dhunë në familje”.