Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Bellacërkë të Rahovecit, ku një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi një person ishte gjetur i varur në litar dhe dyshohej se ishte në rrezik për jetën.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës dhe pas ekzaminimeve për shenjat vitale, është konstatuar se ai ka ndërruar jetë.
Sinjali mëson se viktima është një 30-vjeçar, teksa lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme lidhur me rastin.
Në kuadër të veprimeve hetimore është marrë dëshmia e nënës së të ndjerit, e cila ka gjetur trupin e pajetë dhe ka tentuar ta shpëtojë duke këputur litarin.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’.