Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Gjakovë, ku ka humbur jetën një grua e cila po trajtohej në Spitalin Rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë. E ndjera nga fshati Hoçë e Madhe e Rahovecit, ishte shtrirë atje të mërkurën.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se tashmë kanë nisur hetimet e para për vdekjen e saj, pasi që 51-vjeçarja ditën kur ishte hospitalizuar, kishte denoncuar në Polici bashkëshortin dhe vjehrrën e saj, të cilët i akuzonte për dhunë në familje.
Kjo është konfirmuar edhe përmes raportit 24 orësh të Policisë, të dërguar ditën e enjte, ku thuhej se të dyshuarit ishin shoqëruar për intervistim në stacion policor dhe të njëjtit ishin liruar më pas në procedurë të rregullt.
Rahovec 15.03.2023 – 08:50. Viktima femër kosovare ka informuar se bashkëshorti dhe vjehrra e saj të dyshuarit kosovarë kanë ushtruar dhunë ndaj saj. Viktima është dërguar në tretman mjekësor në Spitalin e Gjakovës. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sinjali mëson se e ndjera tash e një kohë vuante nga problemet shëndetësore dhe për këtë shkak ishte shtrirë në spital.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërsa me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’.