Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet ndaj një 28-vjeçari, i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht një 22-vjeçare në fshatin Dardani.
Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur të mërkurën rreth orës 11:00, ku pas një fjalosjeje, i dyshuari ka sulmuar 22-vjeçaren duke e goditur me grushte dhe shuplaka në kokë, e më pas edhe ka dashur që ta ngufasë.
Si pasojë e lëndimeve të marra nga dhuna, e reja është dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmë mjekësore, teksa rasti është denoncuar edhe në Polici.
Njësitet policore kanë arritur që mbrëmë rreth orës 20:00 ta arrestojnë personin e dyshuar, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka nxjerrë aktvendim që 28-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.