Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Shtime, ku një vajzë e mitur dyshohet se ka tentuar t’i japë fundit jetës së saj, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare kanë bërë me dije se e mitura ishte dërguar atje në gjendje të rëndë, pasi e njëjta dyshohet se kishte konsumuar preparate higjienike (domestos) në banjën e një marketi në Shtime.
Stafi mjekësor i QKMF-së i ka ofruar ndihmën e parë viktimës dhe e njëjta më pas është transferuar në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj e më pas është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Pas intervenimit të mjekësve, gjendja e saj shëndetësore është stabilizuar dhe e njëjta ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Nuk dihen ende motivet që dyshohet ta kenë shtyrë 15-vjeçaren të bëjë këtë veprim, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Prokurori i Shtetit ka cilësuar rastin si ‘Tentim vetëvrasje’.