Nuk janë të rralla rastet kur punëtorët dërgohen me urgjencë në spital për shkak të lëndimeve që marrin në vendet e tyre të punës, si pasojë e mungesës së pajisjeve mbrojtëse në vendet e punës. E një rast i tillë ka ndodhur sot në Ferizaj.
Burimet bëjnë të ditur se dje, rreth orës 17:20, një 23- vjeçar ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, por për shkak të lëndimit të rëndë, i njëjti është dërguar menjëherë për në QKUK në Prishtinë.
Deri tek lëndimi ka ardhur ashtu që derisa 23- vjeçari po punonte në një kompani, e cila bën prodhimin e shkallëve të drurit, mjeti zinparues, i cili shërben si rrafshuese e drurit, ia ka zënë dorën dhe i ka këputur krahun e djathtë nën bërryl.
Sinjali mëson se rasti është denoncuar edhe në Polici, ku njësiti i hetimeve të stacionit bashkë me inspektorët e punës kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme.
Me urdhër të Prokurorit, rasti është iniciuar si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.”