Detaje të reja janë zbuluar disa muaj pas vrasjes në mënyrë makabre të të riut shqiptar, Reols Hysneli, në Gjermani.
Sipas mediave turke, pas disa muajsh pune, grupi hetimor ka mundur që të identifikojë autorët që kanë vrarë me plumb në kokë 27-vjeçarin shqiptar më 25 nëntor 2023, të cilin më pas e mbështollën me letër alumini dhe e groposën në një zonë pyjore, në një fshat pranë Hamburgut.
Ekzekutimi i tmerrshëm u zbulua nga një çift që po bënin një shëtitje në zonën pyjore ku ndodhen burimet termale në qytetin Kaltenkirchen, 27 kilometra larg Hamburgut.
Çifti, i cili ka parë një person të shtrirë në tokë, pjesën më të madhe të trupit të tij të mbështjellë me letër alumini, ka njoftuar menjëherë policinë.
Si rezultat i verifikimit të gjurmëve të gishtërinjve, u zbulua se kufoma i përkiste Reols Hysnelit, shtetas shqiptar i burgosur për trafik droge në Lübeck në vitin 2023. Në vendngjarje u gjet një fletë shitjeje e letrës së aluminit me të cilën ishte mbështjellë Reols Hysneli.
Pavarësisht kontrollit të rreth 100 policëve, arma nuk u gjet.
Ndërsa trupi i Hysnelit u dërgua në Morgun e Mjekësisë Ligjore për obduksion, dy ditë pas ngjarjes, shtetasi shqiptar Qerim D., 17 vjeç, i cili nuk fliste gjermanisht, shkoi në Komisariatin e Policisë Pinneberg me avokatin e tij dhe rrëfeu se kishte vrarë një person.
Fakti që 17-vjeçari Qerim D. heshti për detajet e krimit dhe se avokati i tij ishte i njëjtë me avokatin e İlber, Edmond dhe Ernest Domit, drejtuesit e grupit “Vëllezërit Domi”, i cili menaxhon një pjesë e trafikut të drogës në Gjermani dhe që qarkullon shifra të majme parash, bëri që policia të thellojë hetimet.
Policia konstatoi se fatura e letrës së aluminit të sekuestruar në vendngjarje i përkiste një dyqani që shiste materiale ndërtimi në Uetersen dhe nga pamjet e kamerave të dyqanit mori informacion se Ferhat K. dhe Selami C., kishin blerë letër alumini.