E konfirmon Prokuroria Speciale: Arrestohen Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarë të MINT-it

Prokuroria Speciale e Kosovës e ka konfirmuar lajmin se është arrestuar Ridvan Muharremi, pronar i furrës së shndërruar në restorant “Bukë e Zemër” dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari.

Ata dyshohen për dy vepra.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet R.M. H.G dhe I.L.

Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.

Tutje, Prokuroria Speciale ka njoftuar se ata janë ndaluar për 48 orë.

“Ndërkaq, gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.” – përfundon komunikata.

Ndërsa dy zyrtarët e MINT që u arrestuan sot dhe u ndaluan për 48 orë janë Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.

Aksioni i policisë

Në ora 6 të mëngjesit, pak pas lindjes së diellit, disa zyrtarë të Policisë së Kosovës u shfaqën te banesa në pronësi të Ridvan Muharremit, pronarit të furrës të shndërruar në restorant, “Bukë e Zemër”, i cili frekunetohet shumë nga kryeministri Albin Kurti. Policët shkuan për të bastisur banesën dhe pak më vonë edhe lokalin e Muharremit, i cili dyshohet në lidhje me aferën e vajit dhe grurit.

Aryseja tashm është lehtë e rrokshme. E gjithë bastisja nisi në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari.