Kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi, kishte dhënë fjalë të forta në qershor të viti të kaluar. Publikisht ishte zotuar se në atë moment që Qeveria ndryshon qëndrim rreth Asociacionit ai do të jepte dorëheqja, raporton Nacionale.
Pas gati një viti e gjysmë, gjerat kanë ndryshuar, por Bislimi nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë. Qeveria tashmë e ka bërë të qartë se e ka pranuar draftin e BE-së për formimin e Asociacionit.
Pas takimit me liderët evropianë në Bruksel, kryeministri Albin Kurti ka treguar se ka shprehur gatishmëri për të nënshkruar draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike.
Ky pranim nuk i ka bërë përshtypje zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Duket se ai ka harruar zotimi e dhënë vitin e kaluar.
Në një intervistë në “Debat Plus”, në qershor të vitit të kaluar, ai ishte zotuar se në atë moment që Qeveria ndryshon qëndrim për këtë çështje do të jepte dorëheqje.
Ai kishte deklaruar se dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit do ta ofronte edhe nëse flitej për Asociacion me kompetenca jo ekzekutive.
“Në atë moment kur Qeveria e ndryshon qëndrimin për Asociacionin. Edhe thotë se do të krijohet Asociacioni, qoftë edhe me kompetenca jo ekzekutive, Besnik Bislimi nuk është më në dialog. Ndoshta dikush tjetër vjen dhe e bën”, kishte thënë Bislimi.
Pas pranimit të draftit nga Qeveria, Bislimit i është rikujtuar fjala që kishte dhënë.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se Bislimi do të duhej t`i qëndrojë besnik fjalës publike.
“Sa herë që Kosova pranon marrëveshje dhe Serbia refuzon, është lajm i mirë! Sa herë Kosova ka dëgjuar këshillat e ShBA-ve dhe ka koordinuar vendimmarrjen me këtë shtet, fundi gjithmonë rezulton me fitore të Kosovës. Gjithsesi, kjo fitore diplomatike e Kosovës do të duhej të pasohej me dorëheqjen e Besnik Bislimit i cili ka dhënë fjalën publike se nëse formohet Asociacioni, Besnik Bislimi më nuk është në dialog. Besnik dialoguesi qendro besnik dhe mbaje fjalën!”, ka shkruar Miftaraj në profilin e tij në “Facebook”.
Bislimi e mbron draftin për Asociacion
Kryenegociatorit të Kosovës për bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi, i cili është edhe zëvendëskryeministër i parë, fare nuk i kanë bërë përshtypje kërkesat për dorëheqje pas pranimit të draftit evropian.
Madje, ai dje ka dalë bashkë me kryeministrin Kurti në një konferencë për medie për ta mbrojtur draftin e ri.
Bislimi ka vlerësuar se drafti i ri është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Në shkurt Kurti ka treguar rrethanat që ai është i gatshëm të angazhohet në draftimin e dokumentit për vetëmenaxhimin në bashkëveprim me pikën 10, nëse sigurohet që kjo është në harmoni me Kushtetutën, letrën e Mogherinit për Isa Mustafën dhe në harmoni me qëndrimin e SHBA-së përmes Op-Ed. Ne kemi kërkuar dakordim që këto do të jenë ato limitet. Serbia s’ka pranuar që të hyjë në këtë diskutim dhe s’kemi mundur të fillojmë punën rreth kësaj. Ne nuk mund të stopojmë partnerët që të marrin iniciativat e tyre”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, dokumenti në fjalë i përmbush kushtet që i ka kërkuar Kosova.
“Sponsorët e këtij propozimi, siç ka thënë edhe kryeministri, kanë deklaruar dhe siguruar, se gjatë përpilimit të propozimit të tyre, i cili s’është propozim merre ose leje, ata janë kujdesur në maksimum që të përmbushen kushtet e z.Kurti që duhet në plotni të respektohet Kushtetua dhe vendimi i Kushteuteses i vitit 2015, por s’e kemi kompetencën që të konstatojmë se a përbën një formulim brenda shkelje të kushtetutës apo jo, por ajo që tha kryeministri, që gjendet brenda dokumentit, është prapë filteri që çfarëdo dakordimi që bëhet duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Bislimi.