Një aksident trafiku që ka ndodhur sot në orët e pasdites në rrugën “Bajram Veliu” në Rahovec është përcjellë me incidente të njëpasnjëshme. Dy të dyshuarit që ishin në veturën që shkaktoi aksident kanë rrahur shoferin e veturës që goditën dhe për të mos mbaruar me kaq sulmuan edhe Policinë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se fillimisht dy të dyshuarit, njëri 20 e tjetri 30-vjeçar kanë shkaktuar një aksident dhe më pas kanë dalë nga vetura duke sulmuar viktimën. Për të intervenuar në rast, një njësi policore kishte dalë në vendin e ngjarjes, por nuk shkoi siç duhet.
Dy të rinj dyshohet se i kanë kërcënuar e penguar edhe zyrtarët policorë, në shenjë revolte, të cilët u detyruan që të marrin masa parandaluese, duke i arrestuar. Sinjali mëson se pasi të dyshuarit u shoqëruan në stacion policor, njëri prej tyre ka tentuar të arratiset, por nuk ia ka dalë.
Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rasteve për disa vepra penale “Lëndim trupor”, “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Kanosje ndaj personit zyrtar” dhe “Arratisja e personit të privuar nga liria”.