E FUNDIT: PDK refuzon diskutimet për presidentin, pandeh se s’u vlerësua konstruktiviteti i saj

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit Drejtues, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, situatën e rënduar ekonomike me të cilën po përballen qytetarët, procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe për çështje të tjera me rëndësi.

Në kuadër të kësaj mbledhjeje, Këshilli Drejtues ka miratuar edhe një Deklaratë Politike, përmes së cilës shprehet qëndrimi zyrtar i PDK-së në raport me temat kryesore që preokupojnë vendin dhe qytetarët.

Sa i përket çështjes së Presidentit, Këshilli Drejtues vlerëson se PDK ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje.

Megjithatë, përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e Presidentit të ri. Rrjedhimisht, PDK e konsideron kontributin e saj në këtë proces të përmbyllur.

Këshilli Drejtues i PDK-së ka shprehur gjithashtu shqetësimin për përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe rritjen e kostos së jetesës, që po rëndon qytetarët, duke kërkuar masa urgjente dhe konkrete për mbështetje ekonomike.

Po ashtu, përmes kësaj deklarate, PDK kërkon një vendim përfundimtar të drejtë dhe të paanshëm për liderët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.

Në Deklaratën Politike të Këshillit Drejtues të PDK-së ritheksohet që zgjedhjet e brendshme partiake duhet të mbahen gjatë vitit 2026, me qëllim forcimin e demokracisë së brendshme dhe krijimin e një alternative të re qeverisëse.

Dy data opsionale për zgjedhje