Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë pak para mesnatës në Fushë Kosovë, ku është gjetur një i ri pa shenja jete.
Sinjali mëson se viktima është 32-vjeçari, Alban Berisha.
Burimet e gazetës brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi një person ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe dyshohej se është në rrezik për jetën.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes, ku me të arritur në banesën e cila gjendet në rrugën ‘Xhemajl Mustafa’, kanë hasur në trupin e 32-vjeçarit i cili ishte i shtrirë përtokë pa ndjenja.
Pas ekzaminimit për shenjat vitale, mjeku ka konstatuar se i riu ka ndërruar jetë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’.