Policia e Kosovës gjatë mbrëmjes së djeshme në zonën kufitare midis Kosovës dhe Serbisë ka ndalur për kontrollë një veturë të dyshuar me targa vendore.
Pas kontrollimit nga njësitë policore tek e njëjta është gjetur sasi e dyshuar e narkotikëve të llojit marihuanë e cila dyshohet se ishte duke u transportuar nga Serbia për në Republikën e Kosovës.
Lidhur me këtë janë ndërmarrë menjëherë veprime hetimore, ku në konsultim me prokurorin kujdestar janë arrestuar dy të dyshuar shtetas kosovarë, Y.H. (1998) dhe D.H. (1990), për transportim me narkotikë si dhe janë sekuestruar narkotikë në sasi prej 182 kg. të llojit marihuanë.
Vlera e kësaj substance narkotike në treg dyshohet të jetë rreth 400.000 (katërqind mijë) euro.
Po ashtu si prova materiale relevante për rastin janë sekuestruar një veturë dhe një kombi me targa vendore të cilat janë përdorur në rast si dhe dy telefona celularë.
Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohen në ndalim policor prej 48 orësh, ndërsa rasti i iniciuar ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e sub. narkotike – Neni 267 të KPRK-së’ procedohet tek njësitë kompetente për trajtim të mëtejmë