Incidentet në institucionet arsimore në vendin tonë nuk janë edhe fort të rralla dhe në shumicën e këtyre rasteve të përfshirë janë nxënësit. Një rast i tillë që dyshohet se ndodhi dje në një shkollë në Lipjan eskaloi edhe në sulm ndaj drejtorit. Dy persona përfunduan në Polici si të dyshuar për rastin.
Rasti ka ndodhur në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Gadime e Epërme në Lipjan.
Drejtori i shkollës, Skender Ademi ka denoncuar se është sulmuar nga dy persona në oborrin e shkollës.
Në bazë të informacioneve të para, dy të dyshuarit të cilët janë vëllezër mes vete, e kanë rrahur drejtorin pasi dyshohej se i njëjti e kishte sulmuar një nxënës.
Në shenjë revolte, të dyshuarit tentuan t’i qërojnë vet hesapet, duke i shkuar viktimës te puna.
Policia është vënë në dijeni dhe si rezultat dy të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.