Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme për dërgimin e dy ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në shtabin e koalicionit FOB UNION III, në operacionin e NATO-s në Irak (NMI), në Bagdad, Irak.
Misioni i ushtarakëve është këshillimi i institucioneve të sigurisë së Irakut, në lidhje me menaxhimin e burimeve njerëzore, analizimin e trajnimeve të nevojshme dhe identifikimi i mangësive, si pjesë e mësimeve të nxjerra.
Kohëzgjatja e këtij operacioni është deri në 3 vjet, afat i cili llogaritet nga data e dërgimit të ushtarakëve të parë në operacion. Periudha e qëndrimit është me sistem rotacioni në çdo 6 muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës (marrjen dhe dorëzimin e detyrës, vonesa të transportit strategjik).
Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës në këtë operacion, përballon shpenzimet për dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 mijë lekë në ditë, përveç pagës mujore; sigurimin e jetës; siguracion shëndetësor jashtë zonës së operacionit; mbështetje shëndetësore; shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare; energji elektrike, ujë dhe ujë i pijshëm; transport; aktivitete social-kulturore në rastet e festave kombëtare, gjatë kohës së kryerjes së operacionit; çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit, shkruan Atsh
Transporti i personelit që merr pjesë në operacion, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën, për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanderia, transporti i individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, me përjashtim të rasteve kur arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy ose shumëpalëshe, ku pala tjetër merr përsipër përballimin e këtyre shpenzimeve.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.