Policia e Kosovës të hënën është goditur nga një veturë në Bistricë të Leposaviqit. Të dyshuarit nuk u ndalën për kontroll dhe goditën policinë, kësisoj policia ka shtënë në drejtim të tyre. Dy të dyshuarit kanë dhjetëra vepra penale. Çka ndodhi?
Të hënën Policia e Kosovës me anë të një njoftimi bërë të ditur se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture e cila nuk ishte ndaluar për kontroll në Leposaviq.
Sipas policisë një veturë kishte goditur patrullën policore duke shkaktuar rrezikimin e jetëve të zyrtarëve tanë policorë. Policia e Kosovës për të neutralizuar rrezikun kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre.
“Njësia policore e cila ka qenë në pikë kontrolli, gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë një veturë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri. Personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.” – thuhet në njoftimin e tyre.
Pas kësaj, policia dha detaje edhe për të dyshuarit shtetas të Kosovës, ku njëri nga ta ka mbi 80 vepra penale ndërsa tjetri 17 vepra penale.
“1. I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (D.S. 1991), dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, detyrim, armëmbajtje pa leje, sulm, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanosje, vjedhje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, grabitje etj., etj. I njëjti ka kryer edhe mbi (20) kundërvajtje.”
“2. I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (M.D. 1985), dyshohet të jetë i përfshirë në 17 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, shtrëngim, armëmbajtje pa leje, vjedhje e rëndë, lëndim i rëndë trupor, kalim i paautorizuar i kufirit, manipulim me prova etj, etj. I njëjti ka kryer edhe (3) kundërvajtje.” – thuhet në njoftimin e policisë.
Në anë tjetër për këtë incident ka folur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili është shprehur “thellësisht i shqetësur” dhe Inspektoriati po merret me hetimin e rastit.
“Dy persona me një veturë, provuan t’i shmangeshin kontrollit të Policisë. Ata e goditën veturën e Policisë së Kosovës me qëllim dhe i vendosën jetërat e zyrtarëve policorë në rrezik. Zyrtarët policorë u detyruan që të gjuanin me armë zjarri në drejtim të veturës për të neutralizuar situatën,” – ka shkruar ai në Twitter.
Propaganda serbe
Të shpejta ishin reagimet e politikanëve serb të Kosovës të cilët me gjuhë të papërshtashme duke propaganduar akuzuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Drejtori i të ashtquajturës “Zyrë për Kosovën dhe Metohinë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq pretendoi se njëri qytetar kishte mbetur i plagosur pas qëllimit me armë zjarri nga Policia e Kosovës.
“Delleviqi ishte goditur në anën e majtë të gjoksit dhe është transportuar urgjentisht në spitalin e Kralevës….” – tha ai, derisa pretendoi se këta qytetarë nuk kishin dashur t’i lejonin policët e (sic) Rosus së Kurtit që t’i keqtrajtonin.
Përveç tij një reagim e bëri edhe Lista Serbe ku akuzuan Qeverinë dhe kërkuan largimin e policisë nga zona veriore e Kosovës./Nacionale