Konfliket e përleshjet në shkollat fillore e të mesme në vendin tonë nuk janë të rralla. Në shumicën e këtyre rasteve janë të përfshirë nxënësit, por ndodhë që edhe prindërit të kapen mes vete.
Një ngatërresë e tillë ka ndodhur dje, te shkolla fillore “Zekeria Rexha” në Gjakovë, ku intervenoi Policia pasi një grua sulmoi një tjetër.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në orët e pasdites, kur dy nënat kishin shkuar për t’i marrë fëmijët nga shkolla, kur u përplasën me njëra – tjetrën derisa po prisnin.
E dyshuara e parë, sipas informacioneve të posedon Sinjali e ka sulmuar fizikisht të dyshuarën tjetër, të cilën po ashtu e ka kapur për flokësh dhe për pasojë ka pësuar lëndime trupore. Ky incident në afërsi të institucionit arsimore alarmoi dëshmitarët, që njoftuan Policinë.
Posa një njësi policore intervenoi, të dyshuarat janë shoqëruar në stacion policor, pasi kanë marrë trajtimin mjekësor. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit e dyshuara kryesore është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa gruaja tjetër është lënë e lirë.