Në Kuvendin e Kosovës sot është mbajtur seancë plenare, ku ka pasur plot pika të rendit të ditës për t’u diskutuar, megjithatë ajo u ndërpre për të vazhduar në një ditë tjetër.
Edhe sot ka pasur biseda e diskutime me telefonë ndërmjet deputetëve të VV-së, ministrave e kolegëve të tyre nga radhët e opozitës.
Nacionale ka publikuar disa mesazhe ndërmjet deputetit të Vetëvendosjes, Enver Dugolli, dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoni. Kjo lidhur me votimin e komisionerit parlamentar të FSK-së.
Në garë për këtë pozitë që pritej të votohej në Kuvend, ishin 3 kandidatë: Remzie Zeqiraj, Sami Hajrullahu dhe Fadil Hadërgjonaj.
Dugolli i shkruan ministrit Maqedonci se dikush nga kabineti i tij po bën fushatë për një kandidat tjetër, e jo për të cilin ka thënë ministri.
“Ministër, po ju njoftoj se dikush nga kabineti juaj, pa dijenin tuaj dhe në kundërshtim me propozimin tuaj dhe të KOMFSK, po thërrasin deputetët dhe po iu shkruajnë në emër të kabinetit që të përkrahet Samiu për komisioner”, thuhet në mesazhin që Dugolli ia dërgoi ministrit Maqedonci në WhatsApp.
E ministri ia kërkon Dugollit emrat e atyre që po bëjnë fushatë fshehtas ndaj tij.
Dugolli i tregon se është Rabit Konjufca, këshilltari i ministrit, njëherësh xhaxhai i kryeparlamentarit Konjufca.
“Kush është, a keni ndonjë info”, e pyet ministri Maqedonci.
“Rabiti është njëri por do shoh mos është edhe dikush tjetër”, ia kthen deputeti Dugolli.
E këtu, ministri i Mbrojtjes duket se indirekt paralajmëron masa.
“Ok se më duhet masanej me u marr me ta”, ia ktheu Maqedonci.
Më pas Dugolli i tregon ministrit se në mbledhjen para seancës, Dejona Mihali ua tha “troç” kënd ta votojnë.
“Besoj që po sepse kjo nuk len shije të mire me vepru në kundërshtim me vendimet tua. Dejona ua tha troç qëndrimin tuaj dhe të KOMFSK por më habiti fakti se si kanë guxim nga kabineti yt me bë këso veprime”, ka shkruar ai.
Megjithatë, këtu nuk ndalet gjithë ky komunikim. Deputeti i VV-së, Enver Dugolli, më pas komunikon me deputetin e PDK-së, Isak Shabani.
Atij i kërkon ta votojë njërin kandidat, për të cilin Shabani pajtohet dhe ia konfirmon votën.
“A do merrni pjesë në votimin për komisioner të FSK-së”, e pyeti Dugolli kolegun e tij nga opozita.
“Po”, përgjigjet shkurt Shabani.
“A ke ndonjë përcaktim” e pyet sërish Dugolli.
“Unë jo, s’du me përkrah askënd. Për Hadërgjonen ka disponim nga disa”, ia ktheu Isak Shabani i PDK-së.
E këtu deputeti i pushtetit ia tregon kërkesën e tij kolegut opozitar.
“Votoje për mua Remzijen”, i tha Dugolli.
“Po e votoj pa problem. Nëse thua ti”, tha Shabani.
“Është me integritet, invalide e luftës”, ia ktheu deputeti Dugolli.