Federata e Futbollit e Kosovës ka zyrtarizuar datën dhe vendin e zhvillimit të Superkupës së Kosovës në futboll, ku do të përballen kampionia në fuqi, Drita, dhe fituesja e Kupës së Kosovës, Prishtina.
Ndeshja do të zhvillohet më 25 janar në stadiumin “Mardan Palace” në Antalia të Turqisë, me fillim nga ora 12:30 sipas kohës lokale.
Ashtu si në vitet e fundit, finalja e Superkupës do të luhet në Antalia, ku të dy skuadrat ndodhen aktualisht në fazën përgatitore për edicionin pranveror të kampionatit.
Drita dhe Prishtina do të synojnë trofeun e parë për vitin 2026, në një përballje që pritet me interes të madh nga tifozët e futbollit kosovar.
Në dy përballjet e zhvilluara këtë edicion në kampionat, skuadra nga Gjilani ka regjistruar një fitore 2:0 ndaj asaj nga kryeqyteti, si dhe një barazim 2:2.
Trofeu i Superkupës së Kosovës mbahet aktualisht nga Ballkani, i cili në edicionin e kaluar fitoi njëkohësisht titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës, duke e marrë trofeun automatikisht.
Ndërkohë, Prishtina e ka fituar për herë të fundit Superkupën në vitin 2024, ndërsa Drita në vitin 2021.
