Bashkimi Evropian ka konfirmuar sërish se akoma nuk janë krijuar kushtet për heqjen e masave ndaj Kosovës, të cilat Brukseli i vendosi në qershor të vitit të kaluar.
Në një debat të zhvilluar në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Marko Makovec drejtor për Ballkanin në Shërbimin e Jashtëm ka bërë të ditur se situata në veri të Kosovës nuk po përmirësohet dhe tensionet, sipas tij po vazhdojnë të grumbullohen.
“Bashkimi Evropian është i gatshëm të lirojë gradualisht masat, por të gjitha vendet anëtare duhet të jenë shumë të bindura. Dhe, nëse i ndiqni kushtet dhe çfarë po ndodh në veri të Kosovës, situata e sigurisë nuk është përmirësuar dukshëm”, u shpreh Marko Makovec.
Ai vlerësoi se viti i kaluar ishte me zhvillime të përziera në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai përmendi eskalimin e dhunës në muajin maj në veri dhe sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
“Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën përmes zbatimit të shpejtë të të gjitha angazhimeve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, duke përfshirë marrëveshjen për rrugën e normalizimit dhe zbatimin e aneksit, mbetet kush i qartë. Kjo vjen me përgjegjësinë për stabilitetin rajonal, ku përgjegjësia për sulmet e ndodhura më 24 shtator mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme”, porositi drejtori për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Jashtëm.
Serbinë ai e cilësoi si shtet të rëndësishëm në rajon si për çështje të stabilitetit, ashtu edhe jostabilitetit. Përsëriti dosmodoshmërinë që ky shtet të përshtatet me politikën e jashtme të BE-së sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe konfirmoi se pikërisht kjo çështje ka pasoja për procesin e integrimin të Serbisë në BE. Ai po ashtu ka nënvizuar se Serbia po vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Rusinë dhe ka takime të rregullta me zyrtarët e Moskës. /rtklive/