Një pjesëtar i Policisë së Kosovës, i cili është plagosur gjatë aksionit në fshatin Banjskë të Zveçanit, është duke u trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës së Jugut.
Drejtoresha e këtij spitali, Luljeta Buçinca Zhubi, tha për REL se polici i plagosur është duke qëndruar në spital, pasi nesër do t’i nënshtrohet një operacioni.
“E kemi një pjesëtar të policisë, i cili është i plagosur nga copat e predhave. Në konsultim me kirurgun, është konstatuar se ai duhet t’i nënshtrohet një intervenimi”, tha Zhubi.
Ajo tha se që nga orët e para të mëngjesit, në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë të Jugut janë trajtuar gjashtë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
“Disa nga të plagosurit/lënduarit janë transferuar në Prishtinë e të tjerët janë liruar në shtëpi”, tha Zhubi.