Doli me reagim para superfuqive, Donika Gërvalla ia huq për raketat që ranë në Poloni

Dy persona vdiqën mbrëmë në një fshat polak në kufi me Ukrainën nga raketa që ende nuk dihet se kah erdhën, por incidenti ndodhi në kohën kur po ndodhnin sulme të rënda nga Rusia në Ukrainë.

Liderë botërorë, përfshirë edhe presidentin polak Andrzej Duda, me maturi thanë se nuk duhet të nxirren përfundime pa u bërë një hetim i plotë mbi incidentin në vendin anëtar të NATO-s.

Por, më impulsive u tregua kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, e cila menjëherë e bëri përgjegjëse Rusinë, derisa Bashkimit Europian iu drejtua me një kërkesë të qartë – ta ndalë Putinin.

“Ne vajtojmë humbjen e jetëve të pafajshme të polakëve që u vranë nga raketat ruse. Mendimet tona janë me familjet e tyre, Kosova qëndron krah njerëzve të Polonisë kundër regjimit të Putinit. BE-ja duhet të më e vendosur që të ndalë Putinin përpara se ai dhe satelitët e tij të sjellin luftë mbi gjithë kontinentin”, ishte reagimi i Gërvallës.

Ky postim solli reagime të shumta në opinion kosovar që kritikuan diplomacinë e Gërvallës, derisa pati edhe tallje.

Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, e cilësoi të pafalshëm këtë reagim dhe tha se në raste të tilla kur ka mundësi për përshkallëzime, deklaratat duhet të jenë të matura.

“Është e pafalshme që e para e diplomacisë tonë të jetë kaq jodiplomatike dhe tërësisht e pakujdesshme në reagimet e saj. Në një kohë kur të gjithë politikanët rezervohen në deklarime – që të mos ketë përshkallëzime – ministrja jonë e jashtme i hedh benzinë zjarrit. Përpos lëshimeve teknike e ngatërrimit të flamujve të shteteve, angazhimit të vobektë në njohjen e Kosovës, gabimet përmbajtjesore e deklarimet pa takt sikur ky i fundit, janë edhe më të rënda. Kabineti i madh e me shumë këshilltarë, duhet të angazhohen dhe të konsultohen, para se të bëhen të tilla gabime të panevojshme. Politika, dhe sidomos diplomacia, bëhet me urtësi e maturi, jo me temperament e vrull për t’u deklaruar, duke e vënë kësisoj shtetin tonë në pozitë të pafavorshme në politikën ndërkombëtare”, ka shkruar ajo.

Lajmi i rënies së raketave në një shtet të NATO-s sot ka mbuluar ballinat e mediave ndërkombëtare meqë filloi të përmendej Artikulli 5, i cili thotë se “një sulm i armatosur kundër një ose më shumë [anëtarëve] në Europë ose Amerikën e Veriut do të konsiderohet një sulm kundër të gjithëve” dhe se sulmi mund të përdoret si kundërpërgjigje.

Duke ngushëlluar për vdekjen tragjike të dy banorëve polakë, udhëheqësit e fuqive të mëdha kërkuan hetim të plotë.

Në deklarimet e tij presidenti polak ka thënë se deri më tani nuk ka asnjë “provë përfundimtare” se kush e ka lëshuar një raketë në territorin polak, por “ka shumë gjasa” që raketa të jetë prodhuar nga Rusia.

Në anën tjetër, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se është e pamundur që raketa të jetë lëshuar nga Rusia.

Në deklaratën për gazetarë që e bëri pas një takimi urgjent me liderët e NATO-s dhe G7 në Bali, Biden tha se grupi do të mbështeste Poloninë për të hetuar incidentin – një gjë e cila u vlerësua nga shtetet e tjera të Aleancës.

“Unë do të sigurohem që të kuptojmë saktësisht se çfarë ndodhi … Pastaj do të kuptojmë hapin tonë të ardhshëm”, tha Biden.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se s’duhet të arrihet në përfundime pa u bërë ky hetim, derisa ndihmën e SHBA-së për të hetuar rastin e quajti shenjë pozitive.

Po ashtu, edhe kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, thotë se është e rëndësishme që të vërtetohen faktet.

“Të gjithë ne duam ta kuptojmë atë që ndodhi”, tha ai.

Ngjarja në Poloni çoi në një takim urgjent anëtarët e G7 dhe vendeve të NATO-s në Bali të Indonezisë.

Në takim morën pjesë presidenti amerikan Joe Biden, ai i Britanisë së Madhe Rishi Sunak, Olaf Scholz i Gjermanisë, presidenti i Francës Emmanuel Macron, kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau, Ursula Von der Leyen e BE-së, Fumio Kishida i Japonisë, Mark Rutte i Holandës, si dhe Pedro Sanchez i Spanjës, Giorgia Meloni e Italisë dhe presidenti i këshillit të BE-së, Charles Michel.