Vetëm brenda tri ditësh, Komuna e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka lidhur një kontratë dhe e ka rekomanduar për dy tenderë të tjerë kompaninë e një ish-drejtori nga radhët e LDK-së, i cili kishte shërbyer disa vite në Rahovec.
Në vitin 2013, Bislim Morina kishte hapur kompaninë N.N.P. “EURO CONSTRUCTION”. Një vit më vonë, u emërua Drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Rahovecit, si zyrtar nga radhët e LDK-së. Këtë post e mbajti përreth dy mandate (2013-2017) dhe njëkohësisht shërbente edhe si pjesë e strukturave të LDK-së në Rahovec.
Demokracia.com ka gjetur se vetëm brenda tri ditësh, kompania e tij është involvuar në tre tenderë në Komunën e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga LDK-ja.
Në dy tenderë, sot e dje, është rekomanduar për kontrata. Ndërsa, pardje ka nënshkruar një kontratë.
N.N.P. “EURO CONSTRUCTION” & LIDER PLAST SH.P.K”, sot është shpallur fitues i tenderit “Renovimi i objektit të vjetër dhe objektit të ri të Komunës, si dhe bashkësive lokale”. Vlera e kësaj kontrate pritet të jetë 150 mijë euro, ndërsa kompania ka ofertuar 757.92 euro në çmimin për njësi.
Më 24 prill, komuna e Përparim Ramës ka nënshkruar kontratë me kompanitë N.N.P. EURO CONSTRUCTION; IDEOR CONSTRUCTION SH.P.K. Kontrata që është në një vlerë prej 84,839.00 euro ka të bëjë me ndërtimin e Lapidarit në Prapashticë për dëshmorët e vitit 1921. Kompania tjetër në garë “Hilmi A Mulaku BI”, ka pasur çmime më të lirë, por është vlerësuar se ka dorëzuar ofertë që nuk i ka plotësuar kushtet.
Gjatë ditës së djeshme, Komuna e Prishtinës ka ngarkuar në E-prokurim dokumentin “njoftim për dhënie të kontratës”, ku ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Euro Construction” për tenderin “Renovimi i shkollave fillore – renovimi i rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit në nyjat sanitare në IEAA”. Vlera e paraqitur nga kompania është 69,940.50 euro.
Ky tender është hapur qysh në tetor të vitit 2023, por ka pasur zvarritje për shkak të një ankese.
LDK, Dega në Rahovec, më 4 tetor 2023 kishte zhvilluar punimet e Kuvendit të X-dhjetë për organizimin e zgjedhjeve të brendshme. Burim Krasniqi ishte zgjedhur Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dega në Rahovec, për mandatin e plotë 4-vjeçar. Një votë për Krasniqin kishte shkuar edhe nga Morina, pasi që ishte i pranishëm në Kuvendin e LDK-së.