Dogana kap në aeroport 1 kilogram ari të padeklaruar, vlera e tij mbi 59 mijë euro

Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë një operacioni ka ndaluar një 1 kilogram ari të padeklaruar në aeroport, me pastërti prej 14 karatësh.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrollit të udhëtarëve, imazhet e skenerëve treguan indikacione për mallra të padeklaruara brenda një çante.

“Pas hapjes së çantës, u zbuluan mallrat e fshehura së bashku me dokumentacionin përkatës që shoqëronte mallrat. Pas një vlerësimi të hollësishëm nga Dogana e Kosovës, u konstatua se vlera reale e arit të ndaluar është 59,294.12 euro”.

“Rasti është duke u trajtuar në bashkëpunim të ngushtë me Sektorin e Hetimeve të Doganës së Kosovës dhe Prokurorin e Shtetit, për të analizuar të gjitha detajet dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura ligjore ndaj individëve përgjegjës”, thuhet në njoftim.

Më tej, në njoftim thuhet se përmes kontrolleve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit me institucionet relevante, Dogana luan një rol kyç në mbrojtjen e integritetit të kufijve dhe tregut të Kosovës.