Demokracia në Veprim ka vlerësuar se procesi i fundit zgjedhor është zhvilluar në përputhje me standardet demokratike, duke u cilësuar si i lirë dhe konkurrues.
Gjatë një konference për media, Eugen Cakolli nga DnV theksoi se administrimi i zgjedhjeve ishte funksional, pavarësisht disa sfidave institucionale dhe procedurale që ndikuan pjesërisht në perceptimin e publikut:
“Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim vlerëson se këto zgjedhje janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe konkurruese. Vlerësimi i ynë bazohet në faktin se administrimi i përgjithshëm i procesit zgjedhor ka qenë funksional, ndonëse ka qenë edhe i shoqëruar me sfida të natyrës herë institucionale, herë procedurale e herë politike, të cilat në disa raste kanë ndikuar jo vetëm në cilësinë por edhe në vetë perceptimin e publikut mbi mbarvajtjen e procesit zgjedhor.
Sa i përket procesit të votimit, këto zgjedhje kanë qenë dhe janë zhvilluar në një atmosferë të qetë demokratike, pa asnjë incident serioz që do të mund ta cenonte integritetin e zgjedhjeve apo do ta minonte besimin e publikut në rezultatin zgjedhor. Dalja e votuesve ka qenë relativisht e lartë, ndonëse shumica e paarregullsive të denoncuara nga vëzhguesit të DnV-së kanë qenë të karakterit procedural, pa ndikim të drejtpërdrejt në rezultatin e përgjithshëm të procesit.”

