Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes një komunikate për media tha se Demokracia në Veprim ka vëzhguar procesin e votimit për ose kundër largimit të kryetarëve të katër komunave veriore të vendit në të gjitha qendrat e votimit që nga hapja e tyre në orën 07:00 të mëngjesit.
Sipas vëzhgueseve, të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur me kohë, pra në orën 19:00 ndërsa nuk është raportuar për asnjë rast ku qytetarët kanë qenë duke pritur në rradhë për të votuar.
Sipas tyre, procesi i votimit gjatë gjithë ditës është karakterizuar me mungesë të theksuar të interesimit nga qytetarët për të marrë pjesë në votim, pavarësisht se në muajin janar mbi 20 për qind të qytetarëve me të drejtë vote kishin nënshkruar peticionin për largimin e kryetarëve në katër komunat e veriut.
“DnV vlerëson se kjo ishte një mundësi e humbur për qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetarë të rinj të komunave të cilët do të gëzonin legjitimitet përfaqësues. Hedhja e votës është instrumenti i parë demokratik përmes së cilës qytetari krijon lidhshmëri dhe pjesëmarrje në politikat lokale e më pas edhe ka mundësi të kërkojë llogari nga të zgjedhurit”, thuhet në komunikatë.
Sipas Demokracisë në Veprim kushtet teknike nëpër disa Qendra të Votimit, përkatësisht vendvotime nuk kanë plotësuar standardet e procesit të votimit.
“Vlen të përmendet përzgjedhja joadekuate e objekteve të cilat kanë luajtur rolin e Qendrave të Votimit, pasuar nga grumbullimi i disa vendvotimeve në një hapësirë të vetme, vendosja e vedvotimeve në katet e larta të ndërtesave komunale, improvizimi i zyrave ose dhomave të ngushta si vendvotime si dhe mungesa e ngrohjes apo ndriçimit në vendvotimet e organizuara në kontejnerë. Megjithatë, procesi i sotëm ka rrjedhë në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë incident”, thuhet tutje në këtë komunikatë.