Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas djegies së shtëpisë më të vjetër në Mitrovicë mbrëmjen e shkuar.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Çeku ka thënë se shtëpia do të restaurohet, teksa ka kërkuar që kryesit e veprës të dalin para drejtësisë.
“Pas një rezistence të madhe nga familja dhe një tentim rrënimi së fundmi, dje patën filluar ndërhyrjet për shpëtimin e shtëpisë së familjes Koroglu në Mitrovicë. Pasi e kuptuan që nuk zmbrapsemi nga detyrimi ynë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, qyqarët në mënyrë tinëzare pasi ra terri ia vunë flakën shtëpisë së shekullit XIX. Nuk do t’ia dalin, shtëpia do të restaurohet. Dhe do t’i përdorim të gjitha mundësitë ligjore që faturën e restaurimit ta paguajnë ata që ia vunë flakën”, shkroi ai.
Çeku tha se Prokuroritë dhe Gjykatat kanë rol qendror në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, teksa tha se dënimet e deritanishme me gjobë nga 200 deri në 700 euro për dëmtim të monumenteve, janë vetëm inkurajim për keqbërësit.
“Pres kapjen dhe ndëshkimin e kriminelëve. Prokuroritë dhe gjykatat tona kanë rol qendror në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Dënimet e deritanishme me gjobë nga 200 deri 700 euro për dëmtim të monumenteve, kur kodi penal parasheh deri në 500 mijë euro e burgim efektiv, janë vetëm inkurajim për keqbërësit. Betejën mes barbarizmit dhe kulturës pa dyshim se do ta fitojë kultura”, shkroi më tutje ministri i Kulturës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i tha Sinjalit mbrëmë se nuk raportohet për persona të lënduar, teksa njësitë policore kanë nisur hetimet për shkaqet e zjarrit.
“Sonte rreth orës 20:10 është raportuar se në rrugën “Bedri Gjina” në Mitrovicë, një shtëpi që është pjesë e trashëgimisë kulturore ështe përfshirë nga zjarri. Nuk raportohet për persona të lënduar. Njësitet kompetente policore kanë nisur hetimet për shkaqet e zjarrit”, tha Zahiti.
Shtëpia e familjes Koroglu ishte shtëpia më e vjetër në Mitrovicë.
Kjo shtëpi daton qysh nga gjysma e parë e shekullit XIX dhe gjendet në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje.