Djali i Hyseni Gucatit, Musli Gucati ka folur pas publikimit të databazës nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të dhëna për veteranët e UÇK-së, ku iu përmend edhe emri i tij.
Gucati theksoi se lajmin e ka marrë sot në mëngjes nga një familjar, teksa shtoi se nuk ka qenë i informuar më parë.
“Në vend që t’i kthente trupat që i ka larguar nga Kosova, Serbia po vazhdon me agresionin me propagandimin, nuk më ka çuditur ky fakt. Jam pak i habitur nga shtetit ynë që s’ka ndonjë mobilizim duke parë që shteti i Serbisë po bën propagandë”, ka thënë Gucati, i ftuar në InfoMagazine në Klan Kosova.
Ai theksoi se kjo ka lidhje edhe me aktivitetin e babait të tij.
“Po ka të bëjë më ketë me aktivitetin e babait. Përderisa këtyre tre viteve sa kanë qëndruar udhëheqësit e UÇK-së çdo herë kemi dalë kemi mbrojtur pafajësinë e tyre. Çdo herë jemi munduar ta tregojmë të vërtetën”, shtoi Gucati.
“Për momentin nuk i kemi kontaktuar nga organet kompetente, të shohim se çfarë do të bëjmë. Deri në mëngjes nuk kam qenë i njoftuar, mirëpo i kërcënuar jo, nuk kam pse me u ndje, jam duke jetuar në vendin tonë, është diçka e pritshme nga ana e shtetit serb”.