Brooklyn Beckham ka thënë se nuk dëshiron të pajtohet me prindërit e tij të famshëm, ish-yllin e futbollit David Beckham dhe stilisten e modës, Victoria Beckham, raportoi CNN.
Në një postim në rrjetet sociale ku pranon prishjen e marrëdhënies familjare, për të cilën flitet prej kohësh, Brooklyn ka akuzuar prindërit e tij se po përpiqen të “shkatërrojnë” martesën e tij me aktoren Nicola Peltz, vajzën e biznesmenit Nelson Peltz dhe ish-modeles Claudia Heffner Peltz.
“Gjatë gjithë jetës sime, prindërit e mi kanë kontrolluar deklaratat në shtyp për familjen tonë”, ka shkruar ai, duke shtuar se janë përpjekur të prishin marrëdhënien e tij me gruan, që para dasmës së tyre në vitin 2022.
“Po mbroj veten për herë të parë në jetën time”, ka shtuar ai.
Thashethemet për mosmarrëveshje midis familjes Beckham dhe djalit të tyre të madh kanë qarkulluar prej vitesh.
Në deklaratën e tij, Brooklyn Beckham iu referua disa rasteve që me sa duket kontribuan në përçarje.
“Mamaja ime anuloi qepjen e fustanit të Nicolës në minutën e fundit, pavarësisht se sa e emocionuar ishte që do të vishte modelin e saj, duke e detyruar të gjente urgjentisht një fustan të ri”, shkroi ai.
Ai shtoi se nëna e tij ndërhyri në vallëzimin e tij të parë me gruan e tij në dasmë.
“Në vend të kësaj, mamaja ime po priste për të kërcyer me mua”, shkroi ai.
“Gruaja ime është trajtuar vazhdimisht me mungesë respekti nga familja ime, pavarësisht se sa shumë jemi përpjekur të bashkohemi”, ka deklaruar tutje ai.
Ai tutje tha se thashethemet se kontrollohet nga gruaja janë të pavërteta.
“Unë kam qenë i kontrolluar nga prindërit e mi për pjesën më të madhe të jetës sime. U rrita me ankth të madh. Për herë të parë në jetën time, që kur u largova nga familja, ky ankth është zhdukur”, ka vazhduar ai.
