Qeveria e Kosovës po insiston që paratë të cilat Serbia i fut në Kosovë, si pagesa për serbët që jetojnë këtu, të hyjnë nëpërmjet BQK’së e pastaj t’u shpërndahen në llogari bankare.
Akuzave nga Beogradi se me këtë po e pësojnë serbët në Kosovë u është përgjigjur dje Kryeministri gjatë takimit me diplomatët e akreditur në Kosovë – sipas tij rregullorja e BQK’së nuk është siç portretizohet nga Serbia.
Diplomatët më me ndikim kanë kërkuar nga Qeveria ta shtyjë vendimin në mënyrë që të ketë një periudhë tranzitore.
Ekzekutivi është pajtuar me këtë duke u zotuar se nuk do të zbatojë gjoba, por të shtunën policia ka ndaluar një veturë që po sillte dinarë duke i sekuestruar paratë. Një veprim i tillë erdhi pasi të premten Presidenti serb tha se serbëve të Kosovës po u dërgohen paratë në avans.
Përjashtimi i dinarit serb nga përdorimi në Kosovë mund të ndezë tensionet e reja etnike dhe do të mund të përsërisë historinë sikur me çështjen e targave apo vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale të katër komunave veriore. Tashmë kanë nisur thirrjet e ndërkombëtarëve për shmangie të tensioneve, derisa partneri kryesor i Kosovës, SHBA, paralajmëroi me dëmtim të “kualitetit” të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Të shtunën në mbrëmje, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, doli me një deklaratë përmes së cilës shprehte shqetësimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës, për të cilat tha se kanë “një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbëve etnikë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë”.