Foto: Ilustrim
Një shtëpi në fshatin Panorc të Malishevës është djegur në orët e hershme të mëngjesit të kësaj shtuneje.
Si pasojë e zjarrit ka vdekur një 76-vjeçar, derisa një person tjetër është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Sot rreth orës 02:40, policia është njoftuar se në fshatin Panorc-Malishevë një shtëpi ishte përfshirë nga zjarri. Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe është kuptuar se në shtëpinë që ishte duke u djegur kishin qenë duke banuar katër persona, njëri prej të cilëve nuk kishte arritur të dilte. Pasi është lokalizuar zjarri është gjetur viktima mashkullor i moshës 76 vjeçare, pa shenja jete (vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes)”, ka thënë Elezaj.
Elezaj ka thënë se në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “Zjarrvënie” dhe se aktualisht janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për të hetuar shkaktarët e zjarrit.