Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, e ka hudhur poshtë aktakuzën ndaj tre të pandehurve G.S, B.S dhe M.S, të akuzuar për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares, në muajin qershor të vitit 2022.
Një vendim i tillë për hudhje të aktakuzës, është marrë më 12 janar 2023 nga gjyqtari Adnan Isufi, ku sipas tij, aktakuza në raport me të pandehurit e lartcekur është e pa plotë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Hudhet aktakuza PP…. në pikën IV lidhur me të pandehurin G.S dhe B.S dhe në pikën VIII lidhur me të pandehurin M.S- Për shkak se Parashtesa- Aktakuza PP…të dt. 21.12.2022 është e pa plotë”, thuhet në vendimin e Themelores, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“.
Mirëpo, një vendim i tillë ka qenë i papranueshëm për Gjykatën e Apelit, pasi më 26 janar 2023, kolegji i përbërë nga gjyqtarët Hashim Çollaku kryetar i kolegjit, Xhevdet Abazi dhe Ferit Osmani anëtarë, ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke e kthyer çështjen penale në gjykatën e shkallës së parë, në rivendosje.
Ndryshe, në këtë rast janë të përfshirë tetë persona B.Rr., D.Rr., G.S., B.S., M.S., F.S., M.R., dhe E.S, të cilët sipas Prokurorisë janë të akuzuar për vepra të ndryshme penale, e të cilët ngarkohen për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares.
Kujtojmë se para pak ditësh, u morr vesh se edhe ndaj 5 personave të tjerë u hodh aktakuza por që Apeli e ktheu në rivendosje përsëri.
Ky rast, siç ishte i rëndë ditën kur u kuptua, ashtu edhe po vazhdon, me këtë koklavitje juridike.