Numri i rasteve të dhunës në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë. Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet.
Në Polici kanë përfunduar dje pasdite edhe një çift nga fshati Dolak i Vushtrrisë, pasi burri dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se 28-vjeçarja si pasojë e dhunës ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Bazuar në dëshminë e saj dhënë organeve të hetuesisë, pas një konflikti verbal lidhur me disa blerje, i dyshuari e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me grushte dhe më pas e ka tërhequr zvarrë dhe e ka përplasur.
Si rezultat i denoncimit, 36-vjeçari është shoqëruar në stacion policor dhe i njëjti është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’, ndërkohë që viktima është dërguar në shtëpinë e prindërve të saj.