“Down Syndrome Kosova” ka informuar për pranimin e një raporti se ndaj një fëmijë me këtë sindrom është ushtruar dhunë dhe i njëjti më pas është hedhur në ujë në Velipojë me datën 6 korrik, duke ia rrezikuar jetën.
Kjo organizatë në raportin që ka pranuar njoftoi se dhuna u ushtrua nga përfaqësuesi i qendrës së OPFAKOS në Pejë, me inicialet I.B, në praninë e stafit të OJQ-së në fjalë dhe pjesëmarrësve të tjerë.
“Dëshmitari i pranishëm M.M (i gatshëm të dëshmoj para organeve kompetente) raportoj se me datë 6 korrik 2023 në hapësirë publike, plazh në Velipojë, Republika e Shqipërisë, i lartë cekuri ka ushtruar dhunë fizike dhe më pas e ka hedhur në ujë fëmijën duke ia rrezikuar jetën”, njoftoi organizata.
Gazeta Express ka pyetur policinë nëse është arrestuar personi i dyshuar, por policia konfirmon identifikimin e tij dhe thotë se ndodhet në fazën e mbledhjes së dëshmive.
Veprimet po kryhen në koordinim me prokurorinë, tha policia për Express.
“Ne e kemi identifikuar personin e dyshuar, dhe jemi nё fazen e mbledhjes sё dëshmive, deri më tani nuk ka ndonjё person tё arrestuar. Tё gjitha veprimet janë duke u kryer në koordinim me prokuroren kujdestare nga Prokuroria Themelore ne Pejë”, thuhet në përgjigjen e policisë së Pejës, dhënë Gazetës Express.
Edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi tha të hënën për Express se lidhur me rastin është autorizuar policia për të ndërmarrë veprimet e nevojshme.
“Me të parë reagimin publik të këtij rasti, Prokurori i Shtetit ka autorizuar menjëherë Policinë e Kosovës për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”, tha Nikçi për Express.
Organizata thekson se dhuna është e papranueshme dhe u bën thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese që rasti në fjalë të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe profesionale.
“Si DSK, kemi kontaktuar prindin e fëmijës i cili e ka konfirmuar që personi në fjalë ka ushtruar dhunë ndaj fëmijës së tij, por për arsye të panjohura për ne (DSK), prindi nuk ka pranuar të denoncoj rastin. Megjithatë për DSK-ën, çdo formë e dhunës është e papranushme dhe ne ndjejmë obligim ligjor dhe konform misionit tonë t’i marrim masat e nevojshme për trajtim të rastit”, thuhet tutje në postimin e organizatës.