Republika e Kosovës nuk ka arritur të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Komiteti i Ministrave të KiE-së, i cili ka mbajtur dje takimin vjetor, nuk e ka përfshirë fare në agjendë çështjen e anëtarësimit të Kosovës.
Kjo pasi Qeveria e Kosovës nuk e ka dërguar për shqyrtim në Kushtetuese draftin e statutit të Asociacionit, që ishte vendos si kusht i ri për Kosovën nga Franca, Gjermania dhe Italia.
Mosanëtarësimin i Kosovës në këtë organizatë po konsiderohet si dështim historik nga opozita dhe shoqëria civile, ndërsa Qeveria ka fajësuar disa vendet anëtare të KiE-së për këtë çështje, duke mos e marrë asnjë përgjegjësi.
Pas mbylljes se takimit të Komitetit të Ministrave, kryediplomatja Donika-Gërvalla, ka reaguar shpejt, duke fajësuar disa aleate të Kosovës se kanë mbajtur anën e Serbisë.
“Megjithatë, në vend të Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara”, ka shkruar Gërvalla në profilin e saj në “Facebook”.
Ndër të tjera, ajo ka bërë me dije se më nuk vlen as oferta e Kosovës për hartimin e një drafti të ri për Asociacionin, të cilin dje ia ka nisur kryetarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së.
Ajo ka vlerësuar se letra e ka humbur relevancen pasi Komiteti i Ministrave nuk mori parasysh kërkesën e Kosovës për anëtarësim.
“Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, ka shkruar Gërvalla.
Pavarësisht dështimit, Presidentja Osmani është shprehur optimiste, duke thënë se anëtarësimi është vetëm çështje kohe.
“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë”, ka shkruar Osmani.
Opozita drejton gishtin nga pushteti
Partitë opozitare kanë bërë përgjegjësi Qeverinë Kurti për këtë dështim.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vlerësuar se Kosova ka humbur mbështetjen nga partnerët ndërkombëtarë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se kjo qeveria ka dështuar ta finalizojë një punë thuajse të kryer.
Ai ka bërë me dije se zgjidhje janë vetëm zgjedhjet e eja.
“Sot, është një ditë e hidhur për Kosovën dhe për qytetarët tanë. Sot, do të duhej të festonim pranimin në Këshillin e Evropës. Në vend se të konkretizonim një sukses që do të forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetësinë tonë – e për çfarë është punuar gjatë, sot jemi dëshmitarë të humbjes së mbështetjes nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo Qeveri, ky pushtet, pa përjashtuar asnjë nga përgjegjësit e institucioneve shtetërore, dështoi ta finalizojë një punë thuajse të kryer. Mbështetjen e ktheu në injorim. Besimin në zhgënjim. E të ardhmen e sigurt të qytetarëve tanë – e shndërroi në faturë të lartë politike që duhet ta paguajnë po ata”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka bërë me dije se sot ky pushte zyrtarisht ka humbur legjitimitetin.
“Prandaj, shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një Qeverie të re, kredibile, kompetente dhe të përgjegjshme, që e heqë Kosovën nga izolimi dhe e orienton nga integrimi i sigurt euro-atlantik – është e domosdoshme. Sot, edhe zyrtarisht ky pushtet e ka humbur legjitimitetin. Shteti ka nevojë për qytetarët dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre!”, ka shkruar Krasniqi.
Kurse, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mospërfshirja e Kosovës për votim në Këshillin e Ministrave, është dështim i madh.
Ai këtë dështim, ia ka faturuar kryeministrit të vendit, Albin Kurti.
“Mospërfshirja e Kosovës për votim në Këshillin e Ministrave, është dështimi më i madh i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ky dështim i faturohet një njeriu e ai është, Albin Kurti. Eksperimentet e tij, jo vetëm që e kanë dëmtuar rëndë imazhin e vendit, por po e dobësojnë edhe subjektivitetin e shtetit.” – ka thënë Haradinaj.
Një ditë më parë kishte reaguar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Një dështim spektakular. Një turpërim ndërkombëtarë. Një dëm historik. Pasi gabuan adresën e pranuesve të letrës – merreni me mend – pasi ndryshuan në finish gjithë strategjinë dialoguse, zhbënë të gjitha qëndrimet dhe me të humbën të gjitha argumentet e mosveprimit me kohë; pasi e konsideruan diplomacinë si një kafe militantësh ku shiten gjepurat e tyre populiste, Republika e Kosovës mbeti e humbur, e turpëruar dhe sërish e kushtëzuar rëndë”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në “Facebook”.