Në seancën e sotme në Gjykatën Speciale të Hagës ka nisur dëshminë e tij dëshmitari i 39-të në rastin e krerëve të UÇK-së, Dejan Jevtiq.
I njëjti pretendohet të jetë ndaluar nga disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Suharekës. Ai ka thënë se është mbajtur në Suharekë, ku nuk kanë pasur as ushqim e as pije.
“Sepse i kishim duart dhe sytë e lidhur dhe kishte shumë ushtarë. As nuk kishim ushqim e as pije”,tha Jevtiq në pyetjet e Prokurorisë, raporton Nacionale.
Megjithatë, dëshmitari u djersit kur filloi t’i bënte pyetje avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe.
Kehoe e pyeti dëshmitarin për disa deklarata të tij në të kaluarën, ku ai i kishte quajtur “terroristë” ushtarët e UÇK-së.
“Ju patë këta anëtarë të UÇK-së, dhe i përshkruani si terroristë?”, e pyeti Kehoe.
“Jo tamam terroristë, varet çka është për ju terrorizmi”, ia ktheu Jevtiq.
“Mbase e kam thënë pa dashje, jo se doja t’i ofendoja. Mbase e kam thënë pa dashje fjalën terroristë”, u përgjigj sërish dëshmitari serb.
Kehoe ia ktheu sërish. Ai ia ofroi dosjet e dëshmive të tij dhënë Prokurorisë së Specializuar. Aty, ai i kishte quajtur “terroristë” ushtarët e UÇK-së për disa herë me radhë.
“Në dëshminë tënde thua ‘ne vazhduam para se të hynim në Muvlan, dhe aty pamë një grup terroristësh që patën uniforma të zeza. Aty ishin nja 12 a 13 terroristë’. Pra, zotëri në mënyrë të vazhdueshme UÇK-në e keni përshkruar si terroriste?”, pyeti Kehoe.
“Mbase mund ta kem thënë, por pa dashje. Nuk kam dashur të ofendojë askënd”, u përgjigj sërish dëshmitari Jevtiq.
Kehoe e përballi dëshmitarin edhe me detaje të tjera. E pyeti pse kishte shkuar të merrte armë nga xhaxhai i tij, në kohën kur kishte luftime mes UÇK-së dhe ushtrisë së Serbisë.
“Ju atëherë ishit luftëtar i armatosur. Keni shkuar keni marrë armë në shtëpinë e xhaxhait tuaj, Kriston e Stankoviqin, ktheheni në një zonë ku po ndodhnin luftime, ishit të armatosur?”, tha Kehoe.
“Jo”, tha dëshmitari.
“Ju thatë që nuk shkuat me synim për t’u armatosur, por morët armët dhe u kthyet në zonë konflikti?”, e pyeti sërish Kehoe.
“Unë po e përsëris të njëjtën gjë, që unë nuk dija gjë për këto armë, unë nuk kisha armë me vete”,tha Jevtiq.
“ZPS-së i keni thënë gjithë kohës që këto ishin armët tona?”, insistoi Kehoe.
“Nëse mendon se mund ta interpretoni këtë, atëherë mund ta bëni këtë gjë”, ia ktheu sërish dëshmitari Jevtiq.
Në këtë moment, seanca shkoi si private, dhe nuk mund të dëgjohej asgjë nga seanca.