Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i 30-të i Prokurorisë me kodin W04769. Sipas përmbledhjes së lexuar në gjykatë, dëshmitari është ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dëshmia e të cilit, ndër të tjera, ka të bëjë me strukturën komanduese të UÇK-së në Shqipëri dhe në zonën e Pashtrikut.
Këtë dëshmitar, ka filluar ta marrë në pyetje prokurori special, Matt Halling, i cili e ka pyetur lidhur me një intervistë të cilën ai e ka dhënë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe për disa plotësim-ndryshime të saj që janë bërë.
Kjo është konfirmuar edhe nga dëshmitari i 30-të, i cili është i mbrojtur, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas kësaj, prokurori Halling ka kërkuar nga trupi gjykues që kjo intervistë dhe dokumentet përcjellëse të pranohen si prova materiale.
“Të nderuar gjykatës, pasi kemi përmbushur kriteret e rregullës 154 dhe në përputhje me vendimin F01700, ZPS-ja kërkon që të regjistrohen në prova materiale të gjithë pjesët e intervistës së ZPS-së dhe shënimi përgatitor 1 që është dokumenti me ERN 116066 dhe 116071 gjithashtu kërkojmë që të pranohen prova materiale edhe dokumentet shoqëruese në intervistë”, tha prokurori Halling.
Paraprakisht, pasi u vendos që dëshmitari i 29-të ta vazhdojë dëshminë të hënën, trupi gjykues konfirmoi se një dëshmitar tjetër është i gatshëm të ofrojë dëshminë e tij.
Mirëpo, mbrojtja kërkoi që për kundërpyetjet që do ia drejtojnë dëshmitarit të 30-të duhet të përgatiten deri të hënën, përveç avokatit mbrojtës të Kadri Vesilit, Ben Emmerson, i cili tha se është i gatshëm të enjten në mëngjes.
Prokuroria ka vlerësuar që i duhen dy orë për ta marrë në pyetje, ndërsa vlerësimet e mbrojtjes kanë qenë në mënyrë të përgjithshme që i duhen 13 orë për ta marrë në pyetje këtë dëshmitar.