Dera e një xhamie në fshatin Gaçkë në Ferizaj është punuar nga mjeshtri, Zef Gjergji dhe djali i tij Emanueli, të cilët janë vëllai dhe nipi i Ipeshkvit të Kosovës.
Bashkësia Islame e Kosovës, ka thënë se përveç që dera është punuar në mënyrë të shkëlqyer, kjo punë tregon edhe nivelin e lartë të harmonisë fetare që mbizotëron në Kosovë.
“Dera e kësaj xhamie përveç së është punuar në mënyrë të shkëlqyer që do ta zbukurojë edhe më shumë këtë xhami, kjo punë veç tjerash tregon edhe nivelin e lartë të harmonisë fetare që mbizotëron në vendin tonë”, thuhet në një postim të Bashkësisë Islame të Kosovës të publikuar në Facebook.
Gjithashtu, është bërë e ditur se dera e kësaj xhamie peshon rreth 700 kilogram, derisa e veçantë e saj është konsideruar doreza prej bronzi e punuar nga skulptori, Agon Qosa.