Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, thotë se Kosova nuk mund të jetë “zonë gri” në Evropë. Sipas tij, Serbia duhet ta pranojë faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe të krijojë marrëdhënie fqinjësie me të.
“Epoka e perandorive në Evropë ka marrë fund”, thotë Goncharenko, duke iu referuar, siç shprehet ai, trendit në Serbi.
Nëse nuk heq dorë nga kjo qasje, Serbia do të vazhdojë të jetojë në varfëri dhe në revanshizëm, “duke u shfrytëzuar nga Rusia, Irani dhe vende të tjera që duan të ndezin flakë në Ballkan”, thotë Goncharenko.
Në intervistën për Radio Evropa e Lirë, ai shfaq shpresën se Kosova do të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, pas votimit në muajin maj.
“Fatkeqësisht, shoh se në Serbi ka dy trende. Njëri ka të bëjë me ndërtimin e një vendi demokratik, të cilin e mbështes plotësisht, dhe tjetri ka të bëjë me rindërtimin e perandorisë serbe. Dhe, e kam thënë hapur se epoka e perandorive në Evropë ka marrë fund.
Të gjitha këto ndjenja revanshiste dhe imperialiste që një pjesë e politikanëve serbë po përpiqen t’i promovojnë në Serbi, t’i forcojnë në Serbi, janë një pengesë e madhe për zhvillimin e vetë Serbisë.
Andaj, Serbia duhet të pajtohet me faktin se nuk mund të jetë më perandori. Duhet të jetë një vend normal dhe demokratik. Në këtë mënyrë, do të ishte pjesë e botës së lirë. Në mënyrë tjetër, do të vazhdojë të jetojë në varfëri, në revanshizëm, duke u shfrytëzuar nga Rusia, Irani dhe vende të tjera që duan të ndezin flakë në Ballkan.
Nuk jam në pozicion për të thënë se çfarë duhet të bëjnë Kosova dhe Serbia, por, personalisht, besoj se nuk mund të ketë zona gri në Evropë. Kosova nuk mund të jetë zonë gri. Serbia duhet ta pranojë faktin se Kosova është shtet i pavarur, i njohur prej vendeve të tjera, dhe të krijojë marrëdhënie me Kosovën si fqinje. Kjo është një punë që duhet kryer dhe prej saj do të përfitonin Kosova dhe Serbia dhe e gjithë Evropa.”/REL