Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë se s’do ketë themelim të Asociacionit, pa u zbatuar në tërësi marrëveshja bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, që sjell njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia.
Sipas deputetit të partisë në pushtet, Adnan Rrustemi, plani euro-amerikanë për sekuencimin e ujdisë së Brukselit është gjithpërfshirës, ku mes tjerash edhe drafti për Asociacionin bazohet në Kushtetutën e vendit dhe që s’do të ketë kompetenca ekzekutive.
Megjithatë, Rrustemi për KosovaPress, thotë se nëse do të ketë nënshkrim të marrëveshjes i mbetet Gjykatës Kushtetuese, të thotë fjalën e fundit për Asociacionin.
“Plani i ri i zbatimit synon që në një mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe të plotë të senksuencojë zbatimin e marrëveshjes bazë të Brukselit. Natyrisht është edhe drafti për nenin shtatë për vetëmenaxhimin e komunitetit serb. Kurti në takimin në Bruksel është ofruar i gatshëm për të nënshkruar të tri marrëveshjet. Marrëveshjen Bazë të Brukselit, aneksin e Ohrit dhe planin e ri të pesëshes euro-amerikane bashkë me draftin për nenin shtatë… Normalisht drafti për aq sa është thënë bazohet në Kushtetutën e Kosovës, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimin e Chollet dhe Escobar mbi atë çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë Asociacioni, po ashtu edhe mbi letrën e zonjës Mogherini dërguar ish kryeministrit të Kosovës, që nënkupton se ky mekanizëm nuk mund të ketë mekanizma ekzekutive dhe nuk mund të jetë nivel i tretë i pushtetit…Në cilëndo situatë në rast se do të ketë nënshkrim, pranim dhe zbatim të marrëveshjes së Brukselit drafti mbi vetë menaxhimin e komunitetit serb do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo do të thotë fjalën e fundit mbi atë se a është në përputhje me Kushtetutën”, thekson ai.
Sipas tij, për Kosovën do të jetë e papranueshme që Asociacioni të trajtohet vetëm si pikë e veçantë dhe mos të ketë plan të qartë të zbatimit të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
“Për Kosovën është e papranueshme që të trajtohet një pikë e veçantë e marrëveshjes bazë pa u garantuar me një plan real dhe të ekuilibruar të zbatimit të marrëveshjes së plotë. Keni parasysh se nuk mund të diskutohet vetëm për pikën e shtatë pa u siguruar që përmbushet pika e parë, dytë dhe e tretë që janë me rëndësi të veçantë për Kosovën dhe që nënkuptojnë njohjen de-facto…Ne duhet të shohim pamjen e përgjithshme, zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe njohjen reciproke. Ndërkohë u dëshmua edhe në Bruksel se Serbia është pala deskturuktive që nuk dëshiron as zbatim dhe as normalizim të marrëdhënieve”, thotë deputeti i mazhorancës.